19Apr

Samiti i Shkupit, Shqipëria: Iniciatore për krijimin e platformës rajonale të ndërveprimit

Shqipëria është rasti më i mirë në ndërveprimin instucional dhe shkëmbimin e të dhënave njëkohësisht mes sistemeve të tyre, kjo sipas “Microsoft”, ndaj ekspertët vendas sugjerojnë se vendi ynë, mund të jetë iniciator i një projekti inovator për ndërveprimin rajonal, në nivel institucionesh, me qëllim bashkëveprimin dhe shkëmbimin e të dhënave mes tyre.

Gjatë punimeve të samitit dyditor dixhital të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt më 18-19 prill në Shkup të Maqedonisë, ku morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, u theksua se ndërtimi i një platforme rajonale ndërveprimi, mes vendeve të rajonit është një hap gjigand, sa i takon projekteve të ICT-së.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karcanaj, cila ishte paneliste në sesionin e katërt ku theks i veçantë pati ekonomia dhe shoqëria dixhitale, duke shprehur konkretisht sugjerimin e palës shqiptare, tha se kjo iniciativë kërkon fillimisht marrëveshje mes vendeve dhe bazë ligjore specifike.

Duke sjellë për të pranishmit shembullin e e-Albanias, si projekti madhor që qeveria shqiptare ka dixhitalizuar tashmë një pjesë të madhe të shërbimeve publike, znj. Karçanaj theksoi se 48 institucione bashkëveprojnë aktualisht në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, duke ofruar mbi 550 shërbime elektronike në funksion të qytetarit, biznesit dhe punonjësve të administratës publike.

“Aktualisht kemi 30 dokumente elektronike me vulë dixhitale, të cilat përdoruesit pas log in-it në portalin e-Albania i kanë në zotërim me vlerë të plotë ligjore. Mes këtyre dokumenteve janë edhe disa lloj certifikatash që janë mjaft të rëndësishme si p.sh certifikata personale apo ajo familjare. Kryeministri Edi Rama bëri promovimin më të mirë lidhur me këto shërbime, pasi sot qytetarët janë të ndërgjegjësuar dhe kanë kuptuar se nuk ka nevojë të kërkojnë më dokumente të tilla në sportele fizike, madje të reagojnë nëse këto certifikata ju kërkohen në letër nga institucionet shtetërore”, u shpreh znj. Karçanaj.

Kreu i AKSHI-t, theksoi shumë shpejt do të rritet numri i shërbimeve elektronike të pajisura me vulë dixhitale, që do të mund të merren përmes portalit e-Albania, ndërsa bëri publike edhe projekte të reja që do të konkretizohen në të ardhmen.

“Shqipëria do të ketë portalin e vet ‘Open Data’, si dhe sistemin e-Residence. Të dyja këto projekte mund të shtrihen në nivel rajon, gjithnjë duke shfrytëzuar një platformë rajonale ndërveprimi. Shumë shpejt do nisë puna edhe për një projekt të rëndësishëm siç është e-Visa, i cili do t’u mundësojë shtetasve të huaj që të marrin vizat shqiptare elektronike, me vlerë ligjore”, u shpreh znj. Karçanaj.

Gjatë punimeve të samitit, Shqipëria ka ofruar të gjithë mbështetjen e saj për organizimin e një takimi të vendeve të rajonit perëndimor në Tiranë, në vitin 2020.